Secondary Adv

650 familje në pritje të banesave në Kombinat, Demo: Të përshpejtohet procesi

Rreth 650 familje në Kombinat vijojnë të trajtohen me bonus qiraje dhe presin banesat e reja, ndërsa 150 apartamente të ndërtuara janë ende në proces për t’u shpërndarë.

Zv.kryeministrja Albana Koçiu dhe ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, kërkuan përshpejtimin e procedurave për përfundimin e procesit të rindërtimit.


Koçiu dhe Demo zhvilluan një vizitë në Njësinë 6, ku përfundimi i rindërtimit në Kombinat u vendos si prioritet për ndërhyrje të përshpejtuar institucionale. Deri tani janë shpërndarë mbi 340 apartamente, ndërsa rreth 650 familje vijojnë të përfitojnë bonus qiraje.


“Procedurat kanë nisur, por ritmi është shumë i ngadaltë. Kanë kaluar shtatë vite, ne duhet të marrim masat, ta përmbyllim këtë proces me ritëm shumë të shpejtë”, deklaroi Koçiu.


Demo: Financim nga buxheti i qeverisë qendrore

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, deklaroi se synohet ndërhyrja me financim nga buxheti i qeverisë qendrore për të përshpejtuar rindërtimin dhe për t’u dhënë një zgjidhje përfundimtare familjeve që vijojnë të presin.


“Njerëzit kanë të drejtë, pas kalimit të gjithë këtyre viteve, tashmë shtatë vite, ne duhet t’u japim një përgjigje përfundimtare”, u shpreh Demo.


Ndërhyrja do të përqendrohet në përfundimin e apartamenteve tashmë të ndërtuara dhe në përgatitjen e shesheve të reja për familjet që ende nuk kanë marrë banesat. Pjesë e procesit do të jetë edhe zgjidhja e problematikave me lidhjet e energjisë elektrike dhe ujësjellës-kanalizimeve.


150 apartamente të ndërtuara, 223 të tjera në plan

Në Kombinat janë aktualisht rreth 150 apartamente të ndërtuara. Prej tyre, 75 janë në pritje të procesit të shortit, ndërsa për pjesën tjetër vijojnë ndërhyrjet në rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve për t’i kaluar më pas në fazën e shpërndarjes.


Në një tjetër shesh ndërtimi, ku procedura e prokurimit ka përfunduar, pritet të ndërtohen 223 apartamente të reja. Gjithashtu, ka nisur procedura për ndërtimin e 100 apartamenteve të tjera.


Zv.kryeministrja Koçiu theksoi se respektimi i kërkesave ligjore është i domosdoshëm, por nuk duhet të kthehet në shkak për vonesa të mëtejshme. “Bashkërisht, do të duhet që ta shtyjmë sa më shpejt këtë proces, të marrë fund këtu edhe në të gjithë Bashkinë e Tiranës”, u shpreh ajo.



Burimi Ekofin


Më të lexuarat